Qyteti mesjetar Sarda, sot kalaja e Shurdhahut, ngrihet mbi një kodër shkëmbore në bregun e djathtë të lumit Drin, rreth 8 km në jug të qytetit të Shkodres. Dikur kjo kodër lidhej nëpërmjet një qafe të ulët me vargun e kodrave që shtriheshin në bregun jugor të këtij lumi, por me krijimin e liqenit artificial të hidrocentralit të Vau Dejes kodra e Shurdhahut u kthye në ishull. Në gërmallat e kësaj Kalaje ndodhej dikur qyteti i Sardes, i cili përmendet shpesh në dokumentat mesjetare të kohës.
Qyteza e Sardës deri në fund të shekullit XV ka qenë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi i tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut, kulturës së Malësisë, të kulturës së Mirditës dhe të Zadrimës të cilat me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëra-tjetra u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm.
Për këtë qytezë kanë shkruar shumë studiues të huaj si Ippen, De Grandi, J. G. Hahn dhe studiues e arkeologë shqiptarë, të cilët e kanë vlerësuar si një mbartës të kulturës Ilire. Vetë emri i saj i transformuar në Shurdhah ka origjinë Ilire nga qyteti i Sardis. Në këtë fortifikim janë gjetur rrënojat e një kalaje të antikitetit të vonë të shekullit VI-VIII.