Bassania qyteti i humbur mbi 2000-vjeçar në Bushat, Vau Dejes. (Shqipëri)

Pak histori

Por le të kthehemi në lashtësi, prej nga na vijnë t’dhanat e para për qytetin e lashtë ilir. Duhet t’ia dijmë për nder historianit latin Tit Livi (59 p.K – 17 m.K) , i cili asht i pari e mbase edhe i vetmi ndër autorët e lashtë që na e përmend ose mâ saktë na la të shkruem emnin e Bassanias. Ky autor, ndër ma t’njoftunit historianë të Perandorisë së Romës, shkroi nji cikël voluminoz prej 142 librash mbi historinë e Romës, të titulluem “Ab urbe condita” (Nga temelimi i Qytetit). Nga ajo çka na intereson ne për rastin në fjalë e që për fatin e mirë gjendet në 35 librat e mbijetuem të tij, janë në pjesët kur ai flet për historinë e Luftnave iliro-romake. E duhet përmendë se ai në kyt rast plotson atë çka mungon ose ka humbë nga shkrimet e historianit tjetër latin, Polibit. Livi, në librin 44 (XLIV), na flet për mbretin Gent, djalin e mbretit Pleurat, i cili mbas vdekjes së të atit në vitin 181 p.K mori fronin mbretnor e falë aftësive të tij në forcimin e shtetit si edhe të aleancave që ai krijoi me shtetin dardan e atë maqedonas ia doli të bahej nji kundërshtar i fuqishëm i perandorisë romake, me nji flotë detare prej 270 anijesh e me nji ushtri prej 15 mijë vetash. Në vitin 168 p.K Livi na tregon se mbreti Gent rrethoi qytetin e Bassanias, i cili, siç thotë ai vetë, ishte aleat i Romës. Por humbja që pësoi ushtria e tij në betejën detare pranë Apollonisë e detyroi mbretin Gent të tërhiqej drejt Shkodres.

E, në kyt pasazh që na intereson ne në kyt rast, Livi na thotë se Bassania gjendej 5 milje nga Lisusi (Lezha e sotme), por pa nji drejtim të saktë e të përcaktuem. Pikërisht nga kjo, si edhe mungesa e gjurmëve të dukshme të gërmadhave të qytetit, i cili u “zhduk” befasisht për plot 22 shekuj, studiuesit e historianët nuk arrinin të përcaktonin vendndodhjen e saktë të Bassanias. Nisun nga e dhana e vetme “5 milje nga Lisusi”, ato e kërkonin në Pdhanën e sotme, shkonin edhe pak përtej, deri në fshatin Berzanë afër Rubikut, madje “guxonin” (siç duket nisun nga përafria e emnit) deri shumë poshtë, në Elbasan. Ndonji tjetër (N. Ceka) hulumtonte në nji kah tjetër, i afrohej shumë (madje edhe e kapërcente) tu’ e kërkue në kodrat e Beltojës. Nuk dimë i kujt asht gabimi njerëzor “5 milje nga Lisusi”, i autorëve të cilët u referohet Livi apo i atij vetë, por duket se “harresa” e nji 1-shi të “vogël” para shifrës së historianit të lashtë krijonte nji rrëmujë të madhe te studiuesit e sotëm. E përveç ktij fakti duket që kemi pasë edhe nji mosthellim kryeneç të stiudiuesve të sotëm. E them kyt ngaqë në kërkimet e mija në internet rastsisht kam ndeshë në nji studim italian të shek. XVIII ku gjendet edhe harta e maposhtme e ku dallohet kjartë që Bassania asht e vendosun ekzaktsisht në vendin ku u zbulue pak muej ma parë.

Por përveç të dhanës së shkrueme të Tit Livit duket se askush nuk e merrte në konsideratë e nuk i jepte aspak randsi nji të dhane tjetër, nji gojëdhane që përcillej brez mbas brezi ndër banorët e fshatnave të Nënshkodres.

Gojëdhana e Beksenes

Për t’gjithë ata që kanë le e janë rritë në fushën e Nënshkodres asht e njoftun legjenda e Beksenes edhe e Vijës së saj. Simbas ksaj gojëdhane ktu, bri Zefjanës (Zefjana asht nji “mal” 250 metra i naltë bri të cilit gjenden fshatnat Bushat, Rranxa, Melgushë si edhe kodra ku janë zbulue germadhat e qytetit të Bassanias) në lashtësi kishte selinë e saj nji mbretneshë e quejtun Beksene (apo Peksene). E po simbas gojëdhanës kjo mbretneshë kishte zgjanue e përshtatë për lundrimin e lundrave të saj nji vijë uji që fillonte prej rranxë Zefjanës e përfundonte në liqenin e Murtepsës e prej aty vazhdonte në Bunë e në portet e Adriatikut. Gojëdhana e mbretneshës Beksene dhe e Vijës së saj përmendet edhe në nji shkrim të revistës L.E.K.A të vitit 1937 (foto 5). Por kjo Vijë ekziston, njihet e thirret po me kyt emën edhe në ditët e sotme e, me gjithë ndryshimet që ka pësue fusha gjatë sistemimit të saj, ruen pak a shumë ende sot gjurmën e saj të vjetër.

(faksimile nga revista L.E.K.A e vitit 1937)

Por mungesa e nji gjurme të besueshme të vendbanimit të ksaj mbretneshe duket se ka çue deri në nji nënvlerësim e mosmarrje për bazë të ksaj gojëdhane. Deri diku asht edhe e justifikueshme kjo gjâ, sepse nuk bahet fjalë për nji çobaneshë që duhej të kishte pasë stanin e saj diku ktu bri Zefjanës, por për nji mbretneshë që duhej të kishte të paktën nji pallat o nji vendbanim të vogël. Por gjurmët e ktij vendbanimi mungonin, çka krijonte skepticizëm për t’u marrë në konsideratë si legjendë.

Tashti, dikush me të drejtë mund t’shtrojë pyetjen: Ç’lidhje ka gojëdhana e ksaj mbretneshe me qytetin e Bassanias?

Qysh herën e parë që pata ndeshë në shkrimin e Tit Livit e në emnin e qytetit të Bassanias kam pasë bindjen (që edhe e kam shprehë në komente e shkrime të shkurta në FB) se Bassania duhej kërkue diku ktu rreth Zefjanës. Sepse Beksenia (ose Peksenia) mund të ishte jo mbretnesha që na ofronte gojëdhana, por qyteti i humbun që na përmendte Livi. Sepse prania e nji Vije ujore si edhe e nji “porti” lumor, sado i vogël kjoftë, ishte llogjik e i justifikueshëm për nji qytet e për pamvarësinë e tij.

(Pamje e pjesshme e hartës së V. Coronelit e vitit 1678 ku dallohet liqeni i Murtepsës si edhe Vija e Beksenes në të djathtë të Trushit)

“Ku Peksenia e ku Bassania!” mund të vazhdojnë skeptikët.

Siç thashë (e siç dallohet edhe në faksimilen e shkrimit të revistës L.E.K.A) përveç emnit Peksene, banorët e zonës Vijën e sipërpërmendun e emnin e mbretneshës e thirrin edhe Beksene. E përveç ksaj, me aq sa kam lexue, në shkrimet e Livit emni i qytetit gjendet në tre variante: Bassania (i cili ma shumë se sa origjinal në latinisht më duket si nji “përkthim” në italisht), Bexenia e Pexena. E meqë “x” në latinisht shqiptohet “ks”, at’herë na del që Livi ka dokumentue emnin e saktë të qytetit, ashtu siç shqiptohej nga vendasit e ashtu siç na e ruejti ndër shekuj edhe gojëdhana.

Sa për plotësim të argumentit mund të shtoj edhe nji pamje të pjesshme nga harta e Atë Vinçenso Koronelit e vitit 1678 (fotoja 6), pra e 340 vjetve ma parë (e cila duhet thanë që asht harta e parë që na i sjell të sakta e të plota toponimet e vendbanimeve të zonës së Nënshkodres) në të cilën mund të dallojmë kjartë liqenin e Murtepsës, lidhjen e tij me Bunën si edhe Vijën e Beksenes në të djathtë të fshatnave Trush i sipërm e i poshtëm.

E po në kyt hartë gjejmë edhe toponimet e dy vendbanimeve tashma pothuejse të zhdukuna, por që kanë lidhje me temën që po trajtojmë: fshatnat Buzgjarpen e Gurra. 

Buzgjarpni

Siç edhe asht përmendë shpesh nëpër shkrimet mbi Bassanian, bie në sy e madje çudit fakti i zhdukjes së papritun të ktij qyteti të lashtë. Hidhen hipoteza të ndryshme, por askush deri më sot nuk arrin të spjegojë se si nji qytet gati tri herë ma i madh se Shkodra të “përpihej” nga harresa. Dikush përmend “braktisjen” e dikush tjetër “shkatërrimin”. Por përgjigjet mungojnë e pikëpyetjet janë t’shumta. Dakord, njana ose tjetra ka ndodhë, por arsyet mbeten enigmë. Mund të ketë pasë nji shkatërrim nga nji rrethim e pushtim i qytetit, por i mavonshëm nga ai i mbretit Gent që na përmend Livi. Sepse historiani romak na thotë që Bassania u rrethue nga Genti, por ai nuk arriti ta pushtojë ngaqë afrimi i ushtrisë së Romës e bani të tërhiqej me panik drejt Shkodres. Por nuk kemi as pushtim e shkatërrim nga perandoria romake (të paktën jo në kyt rast) sepse nga Livi thuhet qartë se Bassania ishte qytet aleat i romakëve.

Por nuk bind as hipoteza e braktisjes për shkak të mungesës së ujit (siç përmendet në nji hipotezë tjetër). Sepse, mesa kam ndigjue, edhe para zbulimit të ktij viti njerëz të apasionuem mbas historisë e arkeologjisë kanë ndeshë në pjesë tubash qeramike që tregon praninë e nji ose disa ujësjellësve në kyt qytet, fakt që jam i bindun se do ta vërtetojnë gërmimet e mavonshme.

Rrethime, pushtime, shkatërrime e braktisje kanë pasë edhe qytete e qyteza të tjera të lashtësisë, por askujt nuk i ka ndodhë si Bassanias: që të rrenohej e rrafshohej aq sa të mos mbetej gjurmë e saj mbi tokë! Pra, diçka tepër e randë ka shenue “denimin me vdekje” të saj, diçka që të kujton historinë e Trojës së lashtë. Të shpresojmë që ekspeditat e ardhshme do të na ofrojnë arsyet reale e bindëse të zhdukjes së Bassanias.

Por të kthehemi te toponimi që përmendëm ma sipër, te Buzgjarpni. Për ata që nuk e njohin zonën, ky vendbanim shtrihet pikërisht përgjatë kodrës ku gjenden gërmadhat e qytetit të porsazbuluem të Bassanias. Nuk di të them nëse përmendet e gjendet ma parë me kyt emën ndër dokumentat e vjera, por dihet që Gjergj Kastriotit, si kompensim për mosmarrëveshjet që ai pati me venedikasit për Danjën, iu dhanë në zotnim tokat e Buzgjarpnit. E po ashtu asht e përmendun edhe kisha e Shën Gjergjit në anën veriore të kodrës së Buzëgjarpnit, kishë ku thuhet se Heroi ngjitej gjunjazi për t’u lutë sa herë që vinte në kto anë. Në vazhdim Buzëgjarpin e ndeshim si “Busagiarpeni” me 55 shpija e me 279 banorë në Relacionin që Atë Stefano Gaspari i dërgon Vatikanit në vitin 1671 gjatë vizitës së tij në dioqezat e Pultit, Shkodres, Sapës, Lezhës e Tivarit. Pak vite ma vonë, në vitin 1678, kyt vendbanim e ndeshin në hartën e sipërpërmendun të V. Koronelit si “Busergiapane”. Në vitin 1930 E. Armao i cili gjendej në Shkoder si konsull i Italisë, tue pasë pronë të tij hartën e Koronelit, në librin e tij “Vendbanime, kisha, lumej, male e toponime t’ndryshme të nji harte t’vjetër të Shqipnisë së Veriut” kushtue ksaj harte, Buzgjarpnin na e sjell me 3-4 shpi, por përmend që kisha e lashtë e Shën Gjergjit ekzistonte ende…

Gurra – Fontana

Siç thashë pak ma sipër, në hartën e Koronelit dallojmë kjartë e pastër edhe nji toponim tjetër, fshatin Gurra. Armao në librin e tij thotë që bahet fjalë për toponimin “Fontana”, por çuditërisht e vendos në Buzgjarpen.

“Nuk bahet fjalë për nji fshat, –thotë ai në librin e tij nën toponimin “Gurra” -por për nji vendbanim të njoftun nën kyt emën, ku del nji burim rrazë kodrave të Melgushit, në të djathtë të rrugës për Lezhë. Pak përtej gjenden nja dhjetë shpija të nji lagjeje të fshatit Melgushë të quejtun Xhadra. Nalt në kodër kisha e lashtë e Shën Gjergjit që i përket Buzgjarpnit. Ka mundsi që Gurra të jetë “Fontanella” e përmendun nga Shuflai edhe e njoftun qysh në vitin 1459”.

Për mendimin tem, në kyt gabim të Armaos kanë ra edhe arkeologët e ekspeditës së vitit 1988, të cilët zbulimin e asaj kohe e emërtuen “Fontana e Bushatit”. Ka shumë gjasa që “nunët” e ktij pagëzimi ta kenë njoftë librin ose opinionin e Armaos e, në mungesë të gjurmëve të tjera, t’i kenë ra shkurt tu’ e pagëzue me atë emën që nuk ka lidhje as me Fontanën e as me Bushatin. Pse e them kyt gja e ku bazohem në kyt bindje? Mjafton që të shohim hartën e Koronelit për t’kuptue se te dyja palët nuk janë thellue edhe aq në analizat e tyne. Ajo çka m’çudit ma shumë asht fakti se si Armao, që siç na e spjegon edhe vetë në librin e tij, me hartën e Koronelit në dorë e tue i shetitë e shkelë në terren të gjitha vendbanimet që gjenden në kyt hartë, nuk e ven ré mospërputhjen n’mes përcaktimit të tij për Gurrën e vendndodhjes së saj në hartën e Koronelit. Sepse siç edhe dallohet kjartë në foton e maposhtme të hartës, toponimi Gurra gjendet disa kilometra ma në jug të Buzgjarpit e të Bushatit, pikërisht në vendin ku sot asht vendbanimi Gurrila, nji “lagje” me mbi 100 shpija e fshatit Rranxa.

Por siç mund të dallohet edhe nga nji foto e vitit 1930, në atë vend ku gjendet Gurra e hartës e Gurrila e sotme, asokohe kur Armao jetoi në Shqipni, aty ku ai kalonte shpesh për të shkue në Shkoder, përveç gurrës (kronit që i dha emnin ktij toponimi), kishës së Shën Rrokut e nji apo dy shpijave nuk kishte asgja tjetër. Ndoshta ka kenë pikërisht ky fakt që mund të ketë ndikue në analizën e Armaos. Por gjetjet rastsore e jo t’pakta në vorrezën e ktushme tregojnë se në atë vend ka pasë nji vendbanim edhe ma të lashtë se viti 1459, kur ndeshet për herë të parë me emnin Fontana, e edhe se viti 1678, kur Koroneli na e sjell në hartë me emnin Gurra.

Monumente të tjera

Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”

Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”

Kompleksi përbëhet nga kisha dhe nga qela (shtëpia ku ka banuar rreth 30 vite Ndre Mjeda) dhe ndodhet në fshatin Kukel të Njësisë Administrative Bushat. Kompleksi është ideuar dhe projektuar nga vete Mjeda, sipas stilit neoklasik. Qela është e ndertuar në vitin 1906...

Kisha e Shën Mërisë

Kisha e Shën Mërisë

Kisha Shën Mërisë  është ndertuar në këmbë të malit të Dejës ku ndodhen rrënojat e qytezës dhe fortesës mesjetare të Danjës, që për herë të parë përmendet si qendër peshkopale në vitin 361. Në këtë Kishë thuhet se ka vënë kurorë Skenderbeu dhe në afërsi të saj...

Kisha e Shën Markut

Kisha e Shën Markut

Kisha e Shën Markut është ndërtuar me një arkitekture të veçantë që përket përiudhes mesjetare dhe ndodhet në majën e malit të Dejës buzë murit lindor rrethues të kalasë së Vaut të Dejës, qyteza e dikurshme e Danjës Kisha përmendët së pari në dokumentacionin historik...